Arbëreshët e Italisë, në një konferencë të ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë – Vatican News

Konferenca e djeshme “ Pakica arbëreshe : aspekte shoqërore, kulturore dhe fetare ”, organizuar nga ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, veçanërisht, nga e ngarkuara me punë, Majlinda Dodaj, në Sallën Zuccari të Senatit të Republikës Italiane, ishte rast për të reflektuar mbi arbëreshët, por edhe mbi mijëra detajet, që e lidhin Shqipërinë me Italinë në marrëdhënie miqësie dhe ndërvarësie .

R.SH. – Vatikan

Njerëz të shquar të bashkësisë arbëreshe në Itali morën pjesë mbrëmë në konferencën e organizuar nga ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në Sallën e mrekullueshme Zuccari të Senatit të Republikës Italiane. Në praninë e ministrit të Shqipërisë për Diasporën, Pandeli Majko – i cili përshëndeti pjesëmarrësit, duke theksuar përkatësinë e bashkësisë arbëreshe në kombin shqiptar – si edhe të zv.kryetares së Komisionit të Jashtëm për emigracionin, senatores italiane Stefania Craxi, e ngarkuara me punë, Majlinda Dodaj, kreu i misionit diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, kishte ftuar në këtë kuvendim interesant, që merrte shkas nga 100-vjetori i Eparkisë së Ungrës, ipeshkvin e kësaj eparkie, imzot Donato Oliverio; profesorin e njohur të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Francesco Altimari; kolegun e tij në Universitetin e Palermos, Matteo Mandalà; shkrimtarin arbëresh, Carmine Abate; profesoreshën e së Drejtës së Krahasuar të Feve në Universitetin e Peruxhës, Maria Gabriella Belgiorno. Tema e konferencës: “Pakica arbëreshe: aspekte shoqërore, kulturore dhe fetare”.

Prof. Mandalà: shkolla e parë shqipe nuk është e vitit 1887

Roli i Kishës në ruajtjen e identitetit të arbëreshëve, por edhe kontributi i tyre në formimin e shtetit italian dhe të atij shqiptar, ishte në qendër të vëmendjes në relacionet e paraqitura para një publiku, që e kishte mbushur plot Sallën Zuccari. E ky kontribut vijon edhe sot, siç dëshmoi kërkesa për ndryshimin e datës së kremtimit të hapjes së shkollës së parë shqipe, që prof. Mandalà i drejtoi ministrit shqiptar Pandeli Majko, duke i kujtuar se që në kohën e papas Lukë Matranga, përkthyes në shqip i katekizmit të jezuitit Ledesma, në Horën e Arbëreshëve, në Sicili, ekzistonte shkolla shqipe ku vetë Matranga jepte mësimin e këtij katekizmi. Gjë që automatikisht e kthen pas datën e themelimit të shkollës së parë shqipe gati me tre shekuj. Për të mos folur për studime të tjera.

Relacionet e konferencës

Imzot Donato Oliverio u përqendrua në rolin e Eparkisë së Ungrës në ruajtjen e tipareve etnike e fetare të bashkësisë arbëreshe të ritit bizantin. Prof. Francesco Altimari përvijoi para dëgjuesve të vëmendshëm profilin e Jeronim De Radës, me të cilin nis letërsia moderne shqipe. Por ai vuri në dukje edhe largpamësinë e përpjekjet e De Radës për mëvetësinë e mëmëdheut e për rilindjen e tij. Shkrimtari arbëresh, Carmine Abate, me penelata e ngjyra marrë nga jeta e vet, përshkroi një identitet arbëresh, që nuk lidhet vetëm me vendin e origjinës, por pasurohet nga çdo vend ku jetojnë arbëreshë, duke mbetur në thelb shqiptar, por duke fituar edhe karakteristika të reja, që ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kulturës arbëreshe. Ndërsa, profesoresha Belgiorno u ndal në dokumentet historike, që i mundësuan bashkësisë arbëreshe të mbetet e tillë, duke ruajtur gjuhën dhe zakonet e të parëve .
Konferenca, e cila përfundoi me një koktej ofruar nga zonja Majlinda Dodaj, – e cila përveçse e ngarkuar me punë në ambasadën pranë Selisë së Shenjtë mbulon në këtë detyrë edhe Urdhërin Sovran ushtarak të Maltës, – ishte rast për të reflektuar mbi arbëreshët, por edhe mbi mijëra detajet, që e lidhin Shqipërinë me Italinë në marrëdhënie miqësie dhe ndërvarësie. Në mos tjetër, për arbëreshët, që kanë qenë në krye të punëve italiane, si kryeministri Francesco Crispi dhe juristi e politikani Stefano Rodotà .

Source: https://dvn.com.vn
Category : Arber

Alternate Text Gọi ngay